Trajneri maqedonas Srgjan Zaharievski është trajneri i ri i skuadrës shqiptare, Voska Sport nga Ohri.
Skuadra e ligës së parë maqedonase ka shkarkuar sot trajnerin malazez Milan Radoviq, i cili padyshim nuk i ka përmbushur pritjet e drejtuesve.
Zaharievski dhe drejtuesit e Voskës kanë arritur marrëveshje dhe pritet vetëm zyrtarizimi.
Pas pjesës së parë të sezonit dhe pas javës së parë pranverore, Voska gjendet në vendin e 10-të dhe është në zonën për mbijetesë.
Skuadra ka një bilanc prej pesë fitoresh, pesë barazime dhe nëntë humbje.
Zaharievski ka punuar si trajner në Metalurg të Shkupit, në Pelister të Manastirit, ndërsa klubi i tij i fundit ka qenë Struga TL.