Arsenali do të kërkojë t’i japë fund serisë së 7 eliminimeve radhazi në Ligën e Kampioneve në fazën e 1/8-ave, ndërsa sot udhëtojnë drejt “Estadio do Dragao” për t’u përballur me gjigantët e Portos, të cilët gjithashtu nuk kalojnë përtej kësaj faze që prej sezonit 2020/21.
Pas pesë fitoreve radhazi në Premier Ligë, “topçinjtë” tani e kanë të gjithë fokusin në Ligën e Kampioneve dhe në ndeshjen e parë me eliminim direkt.
Vlen të theksohet fakti se Arsenali ka tri fitore, dy humbje dhe 1 barazim në precedentët me skuadrën e Portos, ndërsa kanë shënuar 12 gola dhe pësuar 4.
Ndeshjet e fundit të Portos kundër një skuadre të Premier Ligës ishin në fazën e grupeve të sezonit 2021-22, kur ata u mundën 5-1 në shtëpi dhe 2-0 në transertë kundër Liverpulit.
Për sa i përket formacioneve zyrtare, trajneri Arteta nuk ka në dispozicion në këtë duel sulmuesin Gabriel Zhezus, si dhe futbollistët e tjerë Tomas Parti, Timber, Tomijasu dhe Zinçenko. Në krahun e portugezëve bie në sy mungesa e Markanos dhe Taremit.