Skënderbeu ia doli të merrte një fitore të rëndësishme ditën e sotme përballë Partizanin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të “Abissnet Superiore”.
Sfida që u zhvillua në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, përfundoi me triumfin 1-0 të vendasve, golin për të cilët e shënoi Dean Liço me 11-metërsh në minutën e 35’.
Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV ka folur trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviq.
“Në këto 4 ditë kishim dy ndeshje shumë të forta. Ndaj Dinamos ishim keq nga ana psikologjikë, ndërsa sot ishim mirë. Falenderoj çunat.
U detyrova të ndryshoja skemën, pasi Partizani ishte shumë mirë në ajër. Jam i kënaqur me këtë fitore. Sot Dean Liço ishte pak më afër te porta. Ishim në pjesën e parë 4-4-2, por Deani bëri një ndeshje shumë të mirë taktikisht.
Ne shikojmë vetëm ndeshjen që vjen pas, kam ekip të talentuar që po fiton eksperiencë, por jemi përsëri skuadër e re. Do festojmë sot pak dhe më pas do pushojmë pak, na pret një ndeshje e vështirë në Laç. Nuk mund të flasim për “Final Four” apo “Play-Out” pasi ka akoma shumë ndeshje.
Kur e thashë unë kundër Dinamos që ata vonuan lojën e shtova që e kishin luksin. Edhe ne e vonuam sot, por është pjesë e taktikës së lojës”, u shpreh trajneri i Skënderbeut.