“Karou Mitoma do të jetë jashtë fushës për dy ose tre muaj, sezoni ka mbaruar për të…” Kështu është shprehur trajneri i Brightonit, Roberto De Zerbi, në një konferencë për shtypin në prag të ndeshjes së FA Cup kundër Wolverhamptonit.
Një lajm shumë i keq për skuadrën e Premier League-s, e cila ndër angazhimet e radhës ka dy ndeshje me Romën në fazën e 1/8 të Europa League-s.
Anësori 26-vjeçar japonez po vuan nga një problem me shpinën, i cili e detyroi të humbasë ndeshjen e Premier League-s kundër Evertonit të shtunën e kaluar dhe që doli të ishte më serioz se sa pritej.
“Është një situatë e keqe, shumë e keqe”, tha De Zerbi. “Është dëmtimi i shpinës që e mbajti jashtë të shtunën. Është një problem i rëndësishëm.
Mendoj se do të duhen dy ose tre muaj, kështu që sezoni ka përfunduar për të.” Këtë sezon, për shkak të lëndimeve të tjera dhe pjesëmarrjes në Kupën e Azisë, Mitoma nuk ka luajtur shumë, megjithatë ka shënuar tre gola dhe ka dhënë gjashtë asistime.