Shkupi e pret ekipin e Tikveshit nga Kavadari

Futboll

Shkupi e pret ekipin e Tikveshit nga Kavadari

Më: 3 mars 2024 Në ora: 12:51
Kristijan Trapanovski

Java e 21-t e kampionatit të Ligës së parë në futbollin maqedonas në program është këtë të diel, ku ekipi i Shkupit si nikoqir në stadiumin e Çairit e pret ekipin e Tikveshit nga Kavadari.

Nga radhët e ekipit shkupjan të gjithë janë të një mendimi, se çdo ndeshje dhe çdo skuadër duhet trajtuar njejtë dhe se secila ndeshje do të jetë derbi në vete, deri në përmbyllje të sezonit të rregullt.

Trajneri Mlladen Zhizhoviç dhe ndihmësit e tij kanë punuar në maksimum për përgatitjen e skuadrës edhe për këtë duel, ndërsa mendimin për këtë përballje e ka dhënë sulmuesi i krahut, Kristijan Trapanovski.

“Të dielën na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi përballë do të kemi kundërshtar shumë të mirë. E rëndësishme është se në ekip kemi atmosferë në nivelet më të larta dhe shpresojmë që hap pas hapi me angazhim maksimal do ta arrijmë qëllimin tonë”, ka thënë Trapanovski.

Në pesë përballjet e fundit në mes ekipit tonë dhe Tikveshit, kemi shënuar 2 fitore, kemi dy barazime dhe një disfatë. Ndryshe është mësuar edhe emri i arbitrit i cili do ta ndajë drejtësinë në  ndeshjen e të dielës, ai është arbitri shkupjan, Aleksandar Stavrev.

Kujtojmë se ndeshja Shkupi – Tikveshi luhet të dielën me fillim në ora 14:00 në stadiumin e Çairit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat