Mesfushori i Barcelonës, Pedri, i cili u dëmtua këtë të diel në ndeshjen e La Liga-s kundër Athletic Bilbaos, është optimist për rikuperimin. Ai ka shpërndarë në rrjetet sociale një mesazh, nëpërmjet të cilit premton se do të kthehet shpejt dhe i fortë.
“Është e vështirë të ndalosh dhe të fillosh përsëri. Megjithatë, mos dyshoni se lotët e djeshëm të pafuqisë do të kthehen në ato të lumturisë shumë shpejt”, shkruan futbollisti spanjoll.
“Është e pabesueshme e gjithë dashuria që më treguat orët e fundit. Na kanë mbetur shumë gëzime për të ndarë”, shtoi Pedri.
Mesfushori i Barçës dëmtoi muskulin e drejtë të femurit të së njëjtës këmbë në stërvitje në fillim të sezonit, një dëmtim që e mbajti jashtë për gati dy muaj e gjysmë dhe e detyroi të humbasë dymbëdhjetë ndeshje.
Shoku i tij i skuadrës Frenkie de Jong u lëndua gjithashtu në Bilbao, duke pësuar një ndrydhje në ligamentin e jashtëm anësor në kyçin e këmbës së djathtë.
Dhe, ndonëse Barça nuk ka dashur të specifikojë kohën e rikuperimit, duket se të dy lojtarët nuk do të jenë në dispozicion në javët në vijim.