Pas fitores në derbi, skuadra e Manchester City rikthehet të luajë në Champions League.
Skuadra e Pep Guardiola do të jetë sërish në fushë të mërkurën në mbrëmje, në ndeshjen e dytë të fazës së 16-të kundër Kopenhagen.
Në ndeshjen e parë, “citizens” fituan në Danimarkë me rezultatin 3-1, duke siguruar efektivisht kalimin në turin tjetër. Megjithatë, trajneri spanjoll nuk i beson atij rezultati dhe kërkon nga të tijtë të japin maksimumin në fushë.
“E di që rezultati 3-1 ndaj Kopenhagen është një rezultat i mirë, por në fazën e grupeve bëmë të njëjtën gjë me Leipzigun. Më pas, në ndeshjen e dytë ishim në disavantazh 0-2”, tha trajneri spanjoll.
“Një episod, një penallti, një karton i kuq apo ndonjë gjë tjetër që mund të ndodhë mund t’i komplikojë gjërat. Kështu që, duhet të jemi të kujdesshëm edhe nëse nisemi nga një rezultat i favorshëm”, tha Guardiola.