Kjo e enjte sjell përballjet e para të raundit të të 1/8-ve në Europa League. Roma-Brighton konsiderohet si një prej dueleve më të forta.
Skuadra e Daniele De Rossit po kalon një formë të jashtëzakonshme dhe nën drejtimin e ish-kapitenit po tregon një tjetër fytyrë.
Italianët kaluan Feyenoordin me shumë vështirësi një tur më parë. Tani gjejnë anglezët që drejtohen nga De Zerbi.
“Pulëbardhat”, në katër ndeshjet e fundit në Europa League kanë marrë po kaq fitore. Madje pa pësuar gol.
Milani në anën tjetër, pasi kaloi Rennes pa shumë sforco, do të matë forcat me çekët e Slavia Prague.
Kuqezinjtë shihen si favoritë, por përballë do të kenë një kundërshtar që vjen si i pari i grupit të tij.
Dhe në këtë edicion ka pësuar vetëm 3 humbje në të gjitha garat. Në “San Siro”, të besuarit e Piolit do synojnë t’i mbyllin llogaritë në mënyrë që të mos i lënë asgjë rastësisë pas një jave.
Liverpooli është mes pretendentëve për të fituar këtë kompeticion, por kjo javë do të jetë shumë e rëndësishme për të besuarit e Klopp.
“The Reds” do të luajnë ndeshjen e parë në Çeki, me Sparta Prague ku aktivizohen Qazim Laçi dhe Indrit Tuci.
Skuadra e dy kuqezinjve eliminoi gjigantët e Galatasaray në raundin e mëparshëm. Teksa synohet një tjetër mrekulli.
Anglezët garojnë dhe për titullin në Premier League. E në fundjavë do matin forcat me Manchester Cityn.
Granit Xhaka me Bayer Levekusenin do të ndeshet për të tretën herë këtë edicion me Qarabagun e Redon Xhixhës.
Pas sfidave të grupit, “Aspirinat” e pamposhtura deri tani do të kërkojnë kualifikimin në çerekfinale.
Shumë interesante edhe përballja gjermano-angleze: Freiburg-West Ham.
Ekipi londinez ka gjetur ritmin e duhur teksa vjen pas dy fitoresh rresht, ndërkohë që Freiburgu kaloi jo pa vështirësi Lensin (me shtesë).
Mjaft të ekuilibruara duken Benfica-Rangers dhe Marseille-Villarreal. Ndeshjet e kthimit të këtij raundi do të luhen javën e ardhshme.
Ndeshjet
Sparta Prague-Liverpool/ SuperSport 1 (18:45)
Roma-Brighton/ SuperSport 2 (18:45)
Qarabag-Bayer Leverkusen/ SuperSport 3 (18:45)
Milan-Slavia Prague/ SuperSport 2 (21:00)