Sassuolo sheh dritë në fund të tunelit.
Klubi emilian i dha fund serisë prej 8 ndeshjesh pa fitore (një barazim dhe 7 humbje), duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0 ndaj Frosinones në sfidën direkte për mbijetesën.
Një gol i Thorstved në minutën e 58’ vulosi sfidën në “Mapei Stadium”, teksa Frosinone fitoi një penallti me sulmuesin e Kombëtares Kuqezi, Marvin Çunin në minutën e 90’, por ishte braziliani Kaio Jorge ai që e shpërdoroi, duke goditur jashtë.
Me këtë fitore, Sassuolo mbetet në zonën e rënies, në vendin e 18, por tashmë me 23 pikë, një më pak se Frosinone që ka përpara vetes.
Vlen të theksohet se në këtë takim luajti si titullar fantazisti i kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, ndërsa Marash Kumbulla u aktivizua në 10 minutat e fundit me misionin e ruajtjes së rezultatit.
Në duelin tjetër direkt për mbijetesën, Cagliari mori një tjetër fitore, këtë herë 4-2 ndaj Salernitanës dhe iu largua disi zonës së ftohtë të renditjes.
Nga ana tjetër, Salernitana e Liveranit është me një këmbë në Serinë B, pasi është zhytur në vendin e fundit me 14 pikë, 10 më pak se skuadra e fundit që mbijeton në elitë.