Drejtuesit e Juventus vijojnë punën për plotësimin e organikës së skuadrës në sezonin e ardhshëm. Fokusi kryesor mbetet reparti i mesfushës duke qenë se aty pritet të ketë disa lëvizje, teksa nuk përjashtohet largimi i një lideri si Adrien Rabiot.
Mediat italiane zbulojnë dy emrat e fundit në listën e italianëve ndërsa bëhet fjalë për dyshen e Real Sociedad, Mikel Merino dhe Martin Zubimendi.
Ky i fundit është edhe në “orbitën” e Milan teksa vlerësohet nga baskët me një shifër që varion deri në 60 milionë euro. 25-vjeçari është një nga lojtarët kryesorë të Real Sociedad dhe në këtë sezon është aktivizuar në 44 ndeshje.
Ndërkohë, edhe statistikat e Merinos janë mbresëlënëse me 27-vjeçarin që numëron 35 paraqitje me Sociedadin në këtë sezon duke shënuar edhe gjashtë gola.
Juventus po studion situatën dhe në ditët e ardhshme mund të ketë edhe një çelje të bisedimeve me kolegët spanjollë për të kuptuar më qartë qëndrimin e baskëve për dyshen e mesfushës.