Kukësi mori fitoren e dytë radhazi, teksa pasi eliminoi Partizanin nga Kupa mundi minimalisht dhe Laçin, duke u afruar disi me pjesën tjetër të skuadrave. Skuadra e Bledar Devollit ndodhet në vendin e fundit me 22 pikë, kur kanë mbetur dhe 9 ndeshje deri në fund të kampionatit.
Qëndrimi në elitë është një mision shumë I vështirë, por në Kukës kanë rindezur besimin pas dy ndesheve të fundit se në fazën e katërt mund të ndryshojnë diçka.
Kalendari është mjaft i ashpër për verilindorët që në dy ndeshjet e radhës në kampionat do të përballen me dy skuadrat që ndodhen në vendet e para të renditjes.
Fillimisht kuksianët do luajnë me Vllazninë në Kukës e më pas do të vizitojë Egnatian në Rrogozhinë.
Ky mund të jetë dhe udhëkryqi kryesor i kuksianëve, pasi nëse do arrijnë të marrin diçka nga kjo përballje atëherë ekipi mund të pretendojë qëndrimin e në javët e mbetura të përballet me rivalët direkt.
Verilindorët nuk kanë arritur që të marrin asnjë pikë këtë edicion me shkodranët, kundërshtarin e radhës dhe në Kukës do tentojnë fitoren e tretë radhazi, mision që nuk e kanë realizuar asnjëherë gjatë këtij sezoni.