Aurelio De Laurentis e ka shumë seriozisht luftën që është gati t’i hapë FIFA-s, ose më saktësisht Juventusit, i cili do të përfitojë dhjetëra miliona euro në vitin e ardhshëm nga Botërori i Klubeve.
Në bazë të kritereve të vendosura nga FIFA, Juventusi është skuadra e cila bashkë me Interin do të përfaqësojë Italinë në aktivitetin e verës ë ardhshme. Një aktivitet ku minimalisht pjesëmarrësit do të përftojnë rreth 50 milionë euro.
Për presidentin e Napolit, skuadrës e cila ishte në radhë pas Juventusit për të marrë pjesë në atë aktivitet, kjo është një situatë e papranueshme.
Ai insiston se juventinët nuk duhej të ishin të pranishëm në listë dhe t’u hiqeshin pikë nga renditja e UEFA-s, për shkak se kishin manipuluar bilancet financiare dhe ishin dënuar nga ndërkombëtarët për këtë arsye.
“Sportmediaset” bën të ditur se gjatë të mërkurës, presidenti i Napolit është takuar me avokatët e tij për të diskutuar strategjinë e kërkesës që do të bëjë në UEFA dhe FIFA rreth kësaj çështje, për përjashtimin e Juventusit.
Një situatë që do të ndezë edhe më shumë armiqësinë mes dy klubeve, të cilat në vitet e fundit janë thumbuar shpesh me njëra-tjerën për arsye sportive e jo vetëm.