Telash i papritur për Milanin, në një moment ku mund të luhet fati i këtij sezoni për objektivat e ndryshëm që ka klubi. Majk Menja ka lënë fushën e lojës i dëmtuar në sfidën që kuqezinjtë luajtën në Pragë ndaj Slavias për Ligën e Europës.
Portieri u përplas me Viçek në minutat e parë të duelit, duke marrë një goditje në gju. Ai kërkoi asistencën e mjekëve dhe këta të fundit i fashuan gjurin e djathtë.
Francezi tentoi të vazhdonte sfidën, duke qëndruar edhe disa minuta në fushë.
Por më pas ai kërkoi zëvendësimin pasi nuk mund të vazhdonte më dhe në minutën e 21-të, i bëri vend në fushë Sportielos, i cili u rreshtua kësisoj mes shtyllave të kuqezinjve për vijimin e sfidës.
Tani mbetet të shihet se sa do të zgjatë rikuperimi i këtij dëmtimi për Menja, por në mediat italiane raportohet se ai do të mungojë fillimisht në ndeshjen e fundjavës ndaj Veronës, e ndoshta edhe në grumbullimin me përfaqësuesen franceze.