Një tjetër kthesë te Lazio. Lëvizja e menjëhershme e Lotitos mbërriti pas dorëheqjes së Maurizio Sarrit.
Një ditë më vonë, bardhekaltrit mbyllën marrëveshjen për pasardhësin e trajnerit toskan dhe nuk po i referohemi Giovanni Martusciello.
Igor Tudor do të jetë trajneri i ri i Lazios, por kroati do ta marrë detyrën vetëm pas ndeshjes së ardhshme të kampionatit.
Në fakt, Martusciello do t’i drejtojë bardhekaltrit në Frosinone. Marrëveshja u arrit në orët e fundit, në fund të një darke në “Villa Sebastiani”, në të cilën ishin të pranishëm edhe drejtori sportiv i klubit kryeqytetas, Angelo Fabiani, dhe agjenti i Tudor, Seric.
Është arritur një marrëveshje deri më 30 qershor 2025. Pas ndeshjes së kësaj fundjave, kroati do të jetë trajneri i ri i Immobile dhe shokëve të tij.
Ndërkohë, presidenti Lotito, para takimit në fjalë kishte folur për lamtumirën e Sarrit në mikrofonat e TG1: “Lamtumira e tij nuk ishte pezull, ishte diçka e papritur. Unë isha në komisionin e financave kur më treguan për dorëheqjen e trajnerit. Ai është ndier pak i tradhtuar nga sjellja e disa njerëzve. Ka diçka që zvarritet në grup…, këtë fundjavë vazhdojmë me Martusciello”.