Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka reaguar pas refuzimit të ankesës së skuadrës së tij nga Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit, duke thënë se ligjin e bën rregullorja e jo Ballkani.
Të premten, Komisioni i Garave i FFK-së e hodhi poshtë ankesën e Llapit si “të paafatshme” pasi skuadra podujevase kërkoi që ndeshja me Malishevën të regjistrohej me rezultat zyrtar në favor të tyre.
Por trajneri i Llapit ka aluduar se në këtë vendim ka gisht Ballkani.
“Nuk ka komision që e hodh poshtë padrejtësinë.
Urime Llapit 3 pikë sepse kështu po thotë rregullorja jo Tahir Batatina e Llapi. Nuk ka kritere të dyfishta sepse ligjin e futbollit e bënë rregullorja dhe jo një klub që i ka fituar dy tituj kampioni. Vazhdojmë”, ka shkruar Batatina në Facebook.
Ballkani e Llapi po luftojnë për titull kampioni të Superligës. Aktualisht, Ballkani është lider me 51 pikë, një më shumë se Llapi. Të dy skuadrat takohen të shtunën në Suharekë.
Llapi u mposht nga Malisheva 2:1. Por skuadra e drejtuar nga Batatina ka pretenduar se Rilind Haziraj i Malishevës është inkuadruar pa të drejtë loje.