Goli i katërt i sezonit, sulmuesi që pret ftesën e parë nga Silvinjo

Futboll

Goli i katërt i sezonit, sulmuesi që pret ftesën e parë nga Silvinjo

Më: 16 mars 2024 Në ora: 17:39
Silvio Merkaj

Një tjetër sulmues shqiptar po bën mirë në Itali në këtë sezon dhe pret që në të ardhmen të marrë një ftesë nga trajneri i Kombëtares, Silvinjo.

Silvio Merkaj ka qenë vendimtar me fanellën e Sudtirol, duke e ndihmuar këtë të fundit që të mbetet në garë për play-off për ngjitjen në elitën e futbollit italian.

Sulmuesi i transferuar gjatë verës në klubin e Serisë B, ka shënuar golin që vulosi fitoren 3-0 për skuadrën e tij përballë Kremonezes, një prej ekipeve pretendente për ngjitjen në Serinë A.

Sulmuesi 26-vjeçar u aktivizua në minutën e 64-t të sfidës dhe në minutën e 83-të, çoi sferën në rrjetë për mbyllur diskutimet për fatin e ndeshjes.

Ky ishte goli i katërt në këtë sezon për Merkajn, i cili ka dhënë edhe dy asiste në 25 ndeshjet që ka luajtur me fanellën e kësaj skuadre, kryesisht duke u aktivizuar si zëvendësues. Sudtirol është në vendin e 9 në renditje, në ndjekje të të 8-it që të çon në fazën play-off të turneut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat