Të gjithë janë në pritje ndeshjes derbi të Anamoravës, mes dy skuadrave të një qytetit, Drita - Gjilani.
Ndeshja do të zhvillohet te fusha sintetike, nesër nga ora 13:00, ndërsa për atë se çfarë mund të ndodhë në fushë të blertë foli kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.
Ramadani tha se derbi i Anamoravës gjithmonë ka qenë ndër më të zjarrtët në Kosovë.
"Në këto ndeshje mund të vendos një detaj, gjithmonë mund të vendos një gabim i njërës skuadër dhe të mbaroj ndeshja.
Është e vështirë të fitohet, pa marrë parasysh objektivat.
Do të jetë një ndeshje e rëndë, ndeshje e luftuar, një ndeshje që të dyja skuadrat kemi nevojë për pikët.
Objektivi jonë dihet që është trepikëshi, me luftë sportive, me angazhim, përndryshe nuk fitohet asnjë ndeshje.
Çdo ndeshje e ka atë rëndësinë dhe cilësinë e vetë, unë mendoj që edhe kjo përveç që na duhet trepikëshi për të mbajt hapin për kreun e tabelës, me dy skuadrat rivale, na duhet edhe për gjendjen psikologjike, sepse dihet kur njëra skuadër fiton në qytet ndihet më e avancuar", ka thënë Ramadani.
"Për ekipin tonë është mjaft e mirëseardhur, sepse kemi zhvilluar mjaft ndeshje nëpër fusha të vështira dhe me një fitore nesër ato dy javë do të kalojnë shumë shpejt, duke qenë vetë të gëzuar, duke i gëzuar tifozët tanë, drejtuesit tanë dhe familjarët tanë. Shpresoj që këto dy javë t'i kalojmë aq mirë pas fitorës së nesërme", përfundoi Ramadani.