E ardhmja e Adrien Rabiot është ende një mister.
Francezit të Juventus i skadon kontrata në fundin e këtij sezoni dhe për momentin nuk ka bisedime mes mesfushorit dhe klubit bardhezi.
Nga grumbullimi i Francës, Rabiot shprehet se mund të qëndrojë te Juventus duke qenë se torinezët do të rikthehen në Champions League dhe do të marrin pjesë në Botërorin e Klubeve. Megjithatë, thekson se nuk ka arsye të nxitohet për të marrë një vendim përfundimtar.
“Nuk e kam vendosur ende të ardhmen, unë qëndrova te Juventus edhe pa luajtur në Kupat e Europës.
Tani skuadra vitin tjetër duhet të rikthehet në Champions League si dhe merr pjesë në Botërorin e Klubeve, të shohim. Janë dy faktorë që mund të ndikojnë në zgjedhjen time. Por, nuk kam asnjë arsye për t’u nxituar, pres fundin e sezonit dhe më pas do të bisedoj me klubin.
Rikthimi i mundshëm te PSG? Prej momentit që jam transferuar te Juventus, nuk ka verë që emri të mos lidhet sërish me PSG.
Nga një anë mendoj se është pak e vështirë për mënyrën si u ndamë, megjithatë nga ana tjetër, ndjehem i nderuar. Në futboll nuk mund të mbyllësh dyert përgjithmonë, por PSG për momentin nuk është prioritet i imi”, u shpreh Rabiot.