Kombëtarja e Kosovës U19 e ka nisur me fitore turneun kualifikues për Kampionatin Evropian 2024.
Të mërkurën Dardanët e kanë mposhtur Austrinë e kësaj grup moshe në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona të Sllovenisë me rezultat 1:0 në kuadër të Grupit 1 të “Elite Round”.
Në pjesën e parë Dardanët nuk krijuan shumë raste, por megjithatë portieri i Kosovës Erion Avdija, arriti ta mbrojë penalltinë në minutën e 23-të.
Dardanët e rinjë e gjetën golin e shumë kërkuar që në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 49-të, sulmuesi i Llapit, Elvir Gashijani gjuajti në drejtim të portës së Austrisë derisa nga devijimi i mbrojtësit të kundërshtarit topi përfundoi në gol dhe rezultati ndryshoi në të mirë të Kosovës për 1:0.
Pavarësisht tentimeve të Austrisë deri në fund të ndeshjes për të ndryshuar rezultatin, mbrojtja e Kosovës dhe portieri Avdija ishte në formë dhe porta e Kosovës qëndroi e paprekur.
Përzgjedhësi i Kosovës Adil Maliqi tha se e merituan fitoren përkundër paraqitjes që bënë:
“Jam shumë i lumtur për fitoren unë stafi dhe të gjithë futbollistët, e kemi merituar këtë fitore sepse kemi luajtur me pasion dhe me zemër.
Nuk isha shumë i kënaqur me performancën por kjo vjen si pasoj e vetëm një stërvitjeje të zhvilluar.
Pres që kundër Spanjës performanca do të jetë shumë më e mirë se ajo ndaj Austrisë.
E rëndësishme është se ne i sollëm tre pikë në shtëpi. Mendoj se e merituam fitoren pavarësisht se Austria krijoi më shumë raste se sa ne. Ne dhamë gjithçka dhe e arritëm qëllimin” shtoi ndër të tjera përzgjedhësi Maliqi.
Aktualisht Kosova është lidere e grupit 1 aty ku bëjnë pjesë edhe Austria, Spanja dhe Sllovenia.
Më 23 mars, Dardanët do të ballafaqohen me Spanjën në stadiumin “TSC Trate Gornja Radgona” po ashtu nga ora 16:00.