Presidenti i Federatës së Futbollit të Armenisë, Armen Melikbekyan, ka organizuar darkë zyrtare për delegacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës, në prag të ndeshjes miqësore ndërmjet Armenisë dhe Kosovës, që zhvillohet të premten në Yerevan.
Në darkë ishin të pranishëm presidenti i FFK-së, Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe Zv/drejtori Samir Ujkani.
Gjatë darkës, presidenti Melikbekyan uroi mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm për delegacionin e FFK-së në Armeni, ndërsa gjithashtu prezantoi historinë e futbollit të Armenisë, duke ndarë me mysafirët faktet dhe momentet më të rëndësishme të zhvillimit të futbollit në vendin e tij.
U diskutua edhe për projektet e dy federatave dhe mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.
Në fund të darkës, presidenti armen theksoi se në ndeshjen e nesërme pritet një atmosferë shumë e mirë, pasi pritet që në stadium të jenë mbi 10 mijë tifozë.
Delegacionet uruan për një lojë fer si dhe bënë shkëmbimin e dhuratave me veçoritë e dy vendeve respektive, një traditë kjo vazhdueshme në takimet zyrtare të kësaj natyre.