Laçi do të presë në shtëpi skuadrën e Partizanit për të zhvilluar ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në Kurbin më 29 mars, do të startojë në orën 19:00.
Skuadra kurbinase nuk njeh fitore prej disa javësh. Laçi ka plot 8 ndeshje që nuk ka mundur të sigurojë 3 pikësh dhe para syve të tyre janë ‘shfaqur’ makthet e rënies nga kategoria.
Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu renditet në vendin e 7-të në tabelën e klasifikimit me 31 pikë, po aq sa Teuta që ndodhet në vendin e 8-të, por këta të fundit kanë edhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar.
Pikërisht fitorja e fundit e Laçit është përballë Partizanit, me të cilët do të përballen të premten. Që pas asaj fitoreje 2-1 më 20 janar në “Arenën e Demave”, kurbinasit nuk njohin triumf. Tashmë, pikërisht përballë “demave” kërkojnë të rikthehen te shija e fitores.