Kategoria e Parë ka zbritur sot në fushën e lojës me pesë ndeshje të javës së 26-të.
Nuk kanë munguar surprizat, sidomos me skuadrat e pjesës së sipërme të klasifikimit. Bylisi ka provuar humbjen e katërt në këtë sezon duke u mundur në fushën e Burrelit me rezultatin 1-0.
Përfiton Elbasani, që pas barazimit 2-2 në transfertë me Kastriotin, shkëputet në vend të parë me dy pikë diferencë nga ballshiotët e vendit të dytë.
Finalja për një vend në play off, ajo mes Korabit dhe Flamurtarit është mbyllur në barazim 1-1, ndërkohë që Apolonia ka mposhtur me përmbysje Tomorin me rezultatin 2-1. Besa ka mundur Luzin me rezultatin 4-1.
Kjo javë e 26-të e Kategorisë së Parë do të mbyllet të enjten me sfidën Lushnja-Vora.