Mario Mitaj ka përfunduar në radarin e Juventusit.
Drejtuesit e skuadrës italiane ishin të pranishëm në Parma në sfidën që kombëtarja shqiptare zhvilloi ndaj Kilit.
Në këtë takim mëngjarashi është parë nga afër nga përfaqesuesit e “Zonjës së Vjetër”, por duket se nuk ka qenë i vetmi nën vëzhgim.
Sipas “La Gazzetta dello Sport” bëhet me dije se një tjetër titullar i kuqezinjve ishte në “lupën” e një tjetër skuadre italiane.
Bëhet fjalë për Nedim Bajramin. Mesfushori është parë nga afër nga përfaqësuesit e Bolognas, me drejtuesit që pëlqejnë karakteristikat e Bajramit.
Fantazisti i kombëtares pavarësisht momentit jo të mirë që po kalon te Sassuolo, shikohet si mjaft i rëndësishëm për ekipin e Bolognas, i cili këtë sezon është një surprizë në kampionat, pasi renditet në vendin e 4-të, pozicion që të çon në Champions League.
Kujtojmë se në 44 ndeshje, Bajrami ka mundur të shënojë 3 gola dhe të dhurojë 2 asiste. Mbetet të shihet nëse mesfushori i kombëtares do të ndryshojë sërish skuadër apo do të vazhdojë të qëndrojë te Sassuolo.