Ndonëse në prag të një ndeshjeje të vështirë në kampionat, si ajo ndaj Arsenalit, rival direkt për titullin kampion, Pep Guardiola ka kohë të mendojë edhe për përballjen ndaj Realit të Madridit në Ligën e Kampionëve.
“Citizens” do të përballen me madrilenët në fazën çerekfinale, me ndeshjen e parë të planifikuar për më prill në “Santiago Bernabeu”, teksa kalendari duket se shkon në favor të skuadrës së Carlo Ancelottit dhe kjo shqetëson jo pak Guardiolën.
“Ne do të luajmë sot me Arsenalin, të mërkurën me Aston Villën dhe të shtunën me Crystal Palace, dhe pas këtyre tre ndeshjeve, përballemi me Realin në Madrid.
Nga ana tjetër ata do të luajnë ndaj Athletic Bilbaos dhe më pas do të kenë 9 ditë pushim, për t’u përgatitur për sfidën ndaj nesh. Ky është një komoditet i madh, që ndikon jo pak në të tilla nivele”, u shpreh Guardiola.