Të denjë për Champions League, Bologna triumfon me spektakël ndaj Salernitana

Futboll

Të denjë për Champions League, Bologna triumfon me spektakël ndaj Salernitana

Më: 1 prill 2024 Në ora: 14:52
Foto ilustrim

Herën e fundit, që morën pjesë në Champions League viti ishte 1964.

“Emilianët” e Bologna janë më pranë se kurrë sigurimit të një “bilete” për fazën e grupeve, të kompeticionit më të rëndësishëm për klube, në Evropë, teksa javë pas jave po arrijnë të regjistrojnë rezultate mbresëlënëse në elitën e Serie A, rezultate që deri më tani e pozicionojnë në një vend komod në renditje.

Mesditën e kësaj të hëne, djemtë e teknikut, Thiago Motta arritën suksesin e radhës, teksa në “Stadio Renato Dall’Ara” mundën me rezultatin e thellë, 3 me 0, skuadrën e Salernitana. Golat ishin padyshim “të magjishëm”, duke filluar që nga “perlat” e Orsolini e Saelemaekers, në minutat 14’ e 44’, të pjesës së parë deri te goli i Lykogiannis, në minutën e 92’-të, për të “vulosur” rezultatin 3 me 0.

Kështu, fitorja spektakolare në javën e 30-të të kampionatit italian të futbollit e ngjit skuadrën e Bologna, në kuotën e 57 pikëve, duke vijuar të mbetet në vendin e 4-t, të tabelës, me 2 pikë më pak se “Bardhezinjtë” e Juventus, të vendit të 3-të dhe 6 më shumë se Roma e vendit të 5-të, ndërsa Salernitana mbetet në vendin e fundit, me vetëm 14 pikë, teksa mund të thuhet se pritet të jetë një nga tre ekipet, që do rikthehet në Serie B.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat