Arsenali është kthyer edhe njëherë tjetër në nivel konkurrues në futbollin anglez. Pretendent për titullin kampion, pjesëmarrës në Champions League dhe sigurisht duke fituar dhe trofetë e tjerë të rëndësishëm në Angli. Pa dyshim një meritë të madhe për këtë rritje të konsiderueshme ka edhe trajneri Mikel Arteta, i emëruar në vitin 2019.
Në sezonin e shkuar, “Topçinjtë” i shkuan shumë pranë titullit, por shpërdoruan një epërsi të çmuar pikësh ndaj rivalëve të City-t, që në fund u shpallën kampionë.
Megjithatë, këtë edicion 13-herë kampionët e Anglisë janë vetëm dy pikë larg vendit të pare, që mbahet nga Liverpooli, dhe barazimi pa gola ndaj Man. City-t ia ka rritur ndjeshëm kuotat për kampionatin.
Progresi i jashtëzakonshëm në vitet e fundit e ka kthyer Arsenalin në një atraksion të rëndësishëm për lojtarët e mëdhenj.
Emri i fundit i lidhur me londinezët është Joshua Kimmich. Lojtari polivalent është një dëshirë e madhe për Artetën dhe konsiderohet si objektivi kryesor për merkaton e verës.
Pavarësisht se pozicioni i preferuar i Kimmich është në mesfushë, ai është spostuar së fundmi në krahun e djathtë të mbrojtjes. 29-vjeçari ka kontratë në ‘’Allianz Arena’’ deri në vitin 2025. Në ndeshjet e kombëtareve të muajit mars, në grumbullim për Gjermaninë, Kai Havertz ka komunikuar me Kimmich dhe ka provuar ta bindë që të transferohet në ‘’Emirates”.