Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i shkallës së parë i ka shqyrtuar sot procedurat e hapura nga Komisioni i Garave.
Dhe, komisioni i drejtuar nga Metë Çeku, pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve dhe incizimeve televizive, vendosi që të kërkojë deklarata shtesë nga Prishtina dhe Dinamo, të cilat kishin përfunduar në disiplinor.
Prishtinasit përfunduan në disiplinor me arsyetimin se tifozët e këtij klubi në ndeshje me Ballkanin ndezën dhe hodhën mjete piroteknike, shurdhuese brenda rrethojës së fushës dhe e fyen në kor gjyqtarin kryesor të ndeshjes.
Kurse, ferizajasit për lëshim në organizim të ndeshjes kundër Suharekës pasi me të përfunduar takimi në hyrje të tunelit një person i paautorizuar e sulmoi me grushte gjyqtarin kryesor të ndeshjes duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka është detyruar të shkojë në emergjencë për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, menaxheri i klubit të futbollit Dukagjini, Ilir Desku u dënua me mos-ushtrim të detyrës për dy ndeshje zyrtare pasi e në ndeshje me Gjilanin e pengoi lëvizjen e gjyqtarit anësor në vijën kufizuese të fushës dhe në një moment e kapi atë për dore, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt.
Drejtori sportiv i Ramiz Sadikut, Betim Sylejmani po ashtu u dënua me mos-ushtrim të detyrës për dy ndeshje zyrtare pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshje me Flamurtarin pas ofendimeve të vazhdueshme në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe të gjyqtarit të katërt.
Edhe trajneri i Flamurtarit, Liridon Leci u dënua me dy ndeshje mos-ushtrim të detyrës në ndeshje zyrtare dhe me gjobë prej 300 eurosh pasi në ndeshje me Ramiz Sadikun, në zhveshtoret e lojtarëve e ka goditur me shkelm lojtarin me nr 6 të ekipit mysafir, për çka është ndëshkuar me karton të kuq direkt.
Portierja e KFF “Vizioni”, Pranvera Tasholli dhe lojtari i Flamurtarit, Rrezon Pllana, gjithashtu u dënuan me nga dy ndeshje moslojë.