Trajneri i Lacios, Igor Tudor, në konferencën e tij për mediat në prag të ndeshjes kundër Romës, u pyet në lidhje me vështirësitë që ka hasur skuadra e tij, në gjetjen e golit, në këto 2 ndeshje të para kundër Juventusit, një në Seria A dhe tjetra në Kupën e Italisë.
Ai iu kundërpërgjigj kritikave, duke thënë që nuk është e lehtë t’i shënosh “Zonjës së Vjetër”.
“Është e vështirë të shënosh 3-4 gola kundër një skuadre të tillë. Unë gjithmonë punoj për t’u përmirësuar, nuk jam kurrë i kënaqur.
Megjithatë, është shumë herët për të gjykuar. Më pëlqen se si lojtarët po i interpretojnë udhëzimet, pastaj do të shohim se ku duhet të përmirësohemi.
Ishin dy ndeshje pa lojtarët e përfshirë me ekipet kombëtare, ishte shumë e veçantë që të përgatitja skuadrën. Kam pasur lojtarë të cilët me 1-2 seanca stërvitore kemi luajtur dy ndeshje. Duhet më shumë kohë për të bërë gjykime.”
Lacio ndeshjen e radhës do ta ketë kundër Romës së Daniele De Rosit, të shtunën në orën 18:00.