Juventusi dhe Manchester United raportohet se janë të interesuar për Thiago Mottan.
Kontrata e italianit skadon në fund të sezonit, por “Rossoblu” shpreson që ai të zgjasë qëndrimin në “Stadio Dall’Ara” përtej verës.
Bologna aktualisht ndodhet në vendin e katërt në tabelën e Serie A, vetëm dy pikë poshtë Juventusit të vendit të tretë dhe ka një shans të artë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve për herë të parë në historinë e saj.
Puna e mirë e bërë nga Motta ka bërë që klubet e mëdha të interesohen për të.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Juventusi dhe Manchester United janë ndër admiruesit më të mëdhenj të 41-vjeçarit, i cili ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.
Agjenti i tij, Dario Canovi, ka thënë së fundmi se Motta me siguri do të jetë trajner në Ligën e Kampionëve një ditë.
Aktualisht, Bologna ka më shumë shanse për të luajtur në kompeticionin elitar të Evropës sesa “Djajtë e Kuq”, të cilët janë tetë pikë larg katërshes së parë në tabelën e Premierligës.
Në anën tjetër, Juventusi është i treti në Serie A, por fitoi vetëm një ndeshje në ligë nga nëntë e fundit dhe po rrezikon top-katërshen me formën që po kalon.