Lecce është mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 nga Milani në “San Siro”, megjithatë miqtë janë shfaqur ndjeshëm të nervozuar nga vendimet e arbitrit kryesor Massimi.
Më i nervozuari nga të gjithë ka qenë presidenti Sticchi Damiani, i cili nuk ka kursyer duartrokitjet ironike ndaj arbitrit pas golit të tretë të Milanit dhe më pas ka lënë menjëherë stadiumin, ndonëse kishte edhe 30 minuta lojë.
Presidenti i salentinëve nuk ishte aspak dakord me kartonin e kuq të marrë nga Krstovic në pjesën e parë për një ndërhyrje të rëndë ndaj Chukwezes, por as me golin e tretë të Leaos, që nisi pas një pretendimi të Lecces për penallti.
Në fakt ndërhyrja e Theo Hernandez ndaj Almqvist ishte e rregullt, por më pas mbrojtësi i Milanit goditi me shqelm në kokë në mënyrë të pavullnetshme sulmuesin e Lecces, duke shtuar dyshimet nëse duhej lejuar vijimi i aksionit apo jo.
Gjithsesi, pas konsultimit me VAR-in, arbitri vendosi të cilësojë të rregullt golin e Leaos, teksa vendimi është duartrokitur nga presidenti i Lecces dhe drejtues të tjerë të klubit, ët cilët u larguan më pas në formë proteste.