Nuk kanë fund polemikat rreth derbit të kryeqytetit në Itali mes Romës dhe Lazios, sfidë e mbyllur me fitoren e verdhekuqve me rezultatin 1-0. Tensioni dhe sherret në fushë mes futbollistëve të të dyjave skuadrave, janë zhvendosur tashmë jashtë kuadratit të gjelbër.
Në Itali po diskutohet shumë prezenca e ish-lacialit, Stefan Radu në sektorin e ultrasve bardhekaltër duke mbajtur veshur simbole naziste. “SS”, një simbol në grafikën e bluzës së Lazios, i përkiste një ideologjie neonaziste të organizatave paramilitare gjermane të Partisë Nacional-Socialiste të punës.
Ky simbol vendosur para emrit të klubit, Lazio, nuk i ka shpëtuar telekamerave duke ndezur një debat të madh, edhe pse tifozeria laciale e justifikon atë si një simbol që lidhet thjesht me termin “Societa Sportiva Lazio”.
Radu, ka qenë pjesë e Lazios prej vitit 2008 deri në qershorin e vitit të kaluar duke u shndërruar edhe në futbollistin me më shumë paraqitje në radhët e kryeqytetasve, plot 426.
Rumuni, edhe në vitin 2012 u përfol për një skandal të lidhur me ideologjinë naziste pasi në atë periudhë pas një ndeshje të fituar kundër Napolit, përshëndeti ultrasit me dorën lart.