Në Turqi vijon ende të diskutohet bojkoti i Fenerbahces në finalen e SuperKupës ndaj Galatasarayt. Fenerbahce u paraqit në fushë me lojtarët e skuadrës U19 dhe pas pësoi gol nga Mauro Icardi, braktisi fushën pas vetëm tre minutash lojë.
Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk theksoi se në minutat e para kundërshtari po mbrohej, ndërsa shtoi se skuadra e tij nuk mund të qëndronte në fushë e palëvizur pasi në këtë formë do t’i bashkohej protestës së Fenerbahce.
“E dinim se do të luanin me të rinjtë, por nuk e dinim se çfarë taktike do të ndiqnin. Ishim kuriozë nëse do të qëndronin në fushë të palëvizur apo do të dilnin menjëherë nga fusha. Nuk e dija se çfarë proteste do të zhvillonin.
Ne donim ta nismin topin të parët pikërisht për të kuptuar se çfarë do të bënte kundërshtari. E pashë që në minutat e para po lëviznin në fushë dhe po bënin presion për të marrë topin. Ne nuk e kishim idenë se ata do të linin fushën sapo ne të shënonim golin e parë.
Nëse lojtarët e Fenerbahces do të qëndronin në vend atëherë Icardi nuk do të kishte shënuar. A duhej ta nxirrnim topin jashtë? Ne donim që ta luanim këtë finale, nëse nëse do ta bënim këtë veprim atëherë i bie që të mbeshtesim protestën e Fenerbahces”, u shpreh Buruk.
Fenerbahce protestoi pasi kjo ndeshje duhej të ishte zhvilluar para katër muajsh, por u shty për arsye politike, ndërsa nga ana tjetër, nuk iu plotësua kërkesa edhe për një arbitër të huaj. Së fundmi, Fenerbahce mendoi edhe tërheqjen nga kampionati pasi lojtarët e tyre u përleshën në fushë me tifozët e Trabzonspor.