Në gusht 2022, Casemiro u largua nga Real Madridi për te Manchester United në këmbim të 70 milionë eurove, plus 15 milionë bonuse. Më pak se dy vite më vonë, mesfushori brazilian 32-vjeçar ka pranuar se vuan “netët pa gjumë” për shkak të mospërputhjes sportive që ‘Djajtë e Kuq’ po tregojnë këtë sezon.
Casemiro, fitues i pesë Ligave të Kampionëve (2022, 2018, 2017, 2016 dhe 2014) me Real Madridin, nuk e pranon mirë faktin që Manchester United është 22 pikë prapa liderit të Premier League: “Ndonjëherë nuk mund të fle.
Provoj të mendoj për diçka ndryshe, por ky është realiteti dhe nuk e eviton dot. Te Manchester United, me distancën e madhe nga kreu i renditjes, nuk ka kuptim të mendosh për titujt apo vendet e Ligës së Kampionëve. Këtu duhet të mendosh vetëm për ndeshjen e radhës.
Është situatë e vështirë. Kjo është pika që më shqetëson më shumë, duke mos luftuar për tituj”, – pranoi Casemiro, i cili ka mundur të luajë vetëm 18 ndeshje nga 31 këtë sezon, për shkak të problemeve të ndryshme fizike.
Manchester United mban vendin e gjashtë në Premier League dhe është 11 pikë pas Tottenhamit, skuadra që mbyll vendin e fundit për të luajtur në Champions League, sezonin e ardhshëm.
Casemiro u shpreh i sinqertë për paraqitjen e tij në sezonin e dytë me ‘Djajtë e Kuq’: “Kur flet individualisht është gjithmonë e vështirë, kryesisht sepse futbolli është sport kolektiv. Kam pasur një fillim të mirë të sezonit, kam qenë më i miri i muajit për ekipin. Këtu fitojmë dhe humbasim të gjithë.
Nuk është Casemiro i gjashti në Premier League, janë të gjithë lojtarët e Manchester United. Duhet ta vlerësojmë situatën kolektivisht. Mendimi im është të luaj ndeshje të mira dhe të fitoj tituj. Ky është objektivi im kryesor”.