Inter pranë yllit të dytë

Futboll

Inter pranë yllit të dytë

Më: 9 prill 2024 Në ora: 15:25
Pamje nga një ndeshje

Inter ka shanse reale për të fituar titullin e Serie A kundër Milanit më 22 prill, madje edhe një barazim do të mjaftojë për zikaltërit nëse kuqezinjtë nuk arrijnë të mposhtin Sassuolon në xhiron e ardhshme.

Fitorja e Interit ndaj Udinese të hënën mbrëma i mbajti ata në krye të tabelës së Serie A me 14 pikë epërsi ndaj rivalëve të qytetit.

Dy skuadrat e Milanos do të takohen në Derbi della Madonnina pas dy javësh dhe, siç janë gjërat, zikaltërit do të fitojnë titullin e 20-të në historinë e klubit nëse mposhtin Milanin.

Siç shpjegohet nga “Calciomercato”, Interit do t’i mjaftojë edhe një barazim, por vetëm nëse Milan barazon ose humbet kundër Sassuolo javën e ardhshme dhe zikaltërit fitojnë ndaj Cagliari.

Në këtë rast, zikaltërit do ta rrisnin epërsinë e tyre me 16 ose 17 pikë, kështu që një pikë në derbi do t’u dhuronte titullin skuadrës së drejtuar nga Simone Inzaghi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat