Real Madridi dhe Manchester City iu rikthyen sonte aksionit në Ligën e Kampionëve, ku të dy gjigantët evropianë u përballën në kuadër të çerekfinales së kësaj gare.
Ndeshja që u zhvillua në stadiumin “Santiago Bernabeu” përfundoi me plot gola por pa fitues, ku rezultati në fund të ndeshjes ishte 3:3.
Pas ndeshjes, për mediat foli trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, i cili ndër të tjera tha se skuadra e tij duhet të jetë e kënaqur me shumë gjëra sonte.
“Natyrisht ne donim të përfitonim edhe një avantazh të vogël për ndeshjen e kthimit, por mendoj se duhet të jemi të kënaqur me shumë sonte. Ne luftuam shumë mirë, dhe nëse e bëjmë këtë përsëri javën e ardhshme, atëherë mund të kalojmë tutje”, tha Ancelotti.