E ardhmja e Armando Brojës pritet të zgjidhet gjatë kësaj vere, kur sulmuesi i kombëtares parashikohet t’i japë lamtumirën Çelsit. Këtë herë me një transferim përfundimtar, pasi blutë duan të përfitojnë financiarisht nga sulmuesi, të cilin nuk e kanë më në planet e tyre.
Për futbollistin kanë shfaqur interes klube të ndryshme në periudhën e fundit, por një prej tyre në veçanti, mund të përballojë edhe ekonomikisht shpenzimet për blerjen e kartonit të Brojës.
“Football London” insiston se Uest Hem vazhdon të ketë një interes prej shumë kohësh për lojtarin shqiptar, pasi trajneri Devid Mojes, e sheh atë si një element që mund të bëjë mirë në repartin e avancuar të skuadrës së tij.
Uest Hem në dy vitet e fundit ka shprehur një nivel loje të admirueshme në Angli ku aktualisht mban vendin e 7 në renditje, si dhe në Europë.
Në edicionin e kaluar, kjo skuadër fitoi Ligën e Konferencës, ndërsa në këtë aktual, ka arritur çerekfinalet e Ligës së Europës ku përballet nesër me Bajer Leverkusen.
Mojes ka nevojë për një qendërsulmues tipik në skuadrën e tij dhe sheh te Broja një opsion mëse të mirë për të zhvilluar për të ardhmen.