Një stuhi e vërtetë shpërtheu në Spanjë pas fjalëve të Mono Burgos në prag të ndeshjes PSG-Barcelona. I ftuar i “Movistar”, ish-strategu i Diego Simeone tek Atletico Madrid bëri një koment racist ndaj talentit Blaugrana, Lamine Yamal: “Kujdes, futbolli është si jeta. Nëse nuk ia del, rrezikon ta gjesh veten në semafor”.
Zhurma që është ngritur në tokën spanjolle është e dukshme, ku Vinicius po bën një betejë të vërtetë në frontin e racizmit. Argjentinasi 54-vjeçar më pas u detyrua të kërkonte falje për t’i rregulluar gjërat:
]“Nëse dikush u ndje i ofenduar, më vjen keq dhe kërkoj falje publike. Nuk doja të lëndoja askënd. Në fakt, unë vetë do të kisha dashur të kisha cilësitë e Yamal. E kuptoj, në ditët e sotme duhet të jesh shumë i kujdesshëm që të mos keqkuptohesh”.
Megjithatë, kërkim-faljet e tij nuk mjaftuan për të qetësuar tërbimin e Barcelonës, e cila nuk dërgoi asnjë përfaqësues në mikrofonat e platformës televizive spanjolle në fjalë.