Federico Chiesa nuk është aspak i kënaqur me pozicionin e tij tek Juventusi.
Dëmtimet e shumta, mungesa e formës dhe zëvendësimet e herëpashershme kanë ndikuar në situatën e italianit te skuadra bardhezi.
Si rrjedhojë, një largim pritet në verë për 26-vjeçarin, pas mosmarrëveshjeve të fundit të tij me trajnerin Massimiliano Allegri.
Për anësorin ka interes të madh nga Premier League angleze, teksa Liverpooli (me blerjen e tij kërkon të zëvendësojë egjiptianin Salah) udhëheq garën për shërbimet e tij, i ndjekur nga Newcastle United.
Juventusi e mori në huazim me të drejtë blerjeje Chiesan në vitin 2021 dhe vendosi të paguajë klauzolën prej 40 milionë eurosh një vit më vonë.
Edhe këtë sezon, rendimenti i italianit nuk ka munguar, kur ka qenë në formën e duhur fizike, por një sërë problemesh brenda dhe jashtë fushe e kanë bërë të pashmangshëm kërkimin e një destinacioni tjetër.
Në 123 ndeshje për “Zonjën e Vjetër”, Federico Chiesa ka realizuar 30 gola dhe ka dhënë 22 asiste.