Carlo Ancelotti po e ndien njëfarë çlirimi pasi e eliminoi Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve.
“Los Blancos” u kualifikuan në gjysmëfinale të kësaj gare dhe tash po shohin përpara, respektivisht në përballjen e dyfishtë me Bayern Munichun në gjysmëfinale.
Trajneri italian thotë se, fakti që “Mbretërit” e eliminuan ekipin më të fortë në Evropë, nënkupton që madrilenët po shkojnë me hapa të sigurt drejt titullit të kampionit të Evropës.
“Tash na pret gjysmëfinalja… Në tre sezonet e fundit jemi ballafaquar vazhdimisht me Cityn, një skuadër fantastike, ndoshta më e mira në Evropë. Prandaj, duke i mposhtur ata, hapet një mundësi e madhe për ta fituar prapë Ligën e Kampionëve”, deklaroi Ancelotti pas lojës.
“Gjysmëfinalja do të jetë interesante. Duke e eliminuar Cityn është një gjë mjaft e mirë për Real Madridin”, përfundoi “Don Carlo”.
Penalltitë ishin vendimtare për Realin pasi dy ndeshjet çerekfinale me Cityn përfunduan baras, 3:3 e 1:1.