Pas ezaurimit të katër ndeshjeve pa praninë e spektatorëve, sot Kukësi do të ketë mundësinë të mbështetet nga tifozët në ndeshjen kundër Skënderbeut, që luhet në orën 15:00.
Komisioni i Disiplinës dënoi klubin verilindor me 4 ndeshje pa tifozë për shkak të incidenteve në ndeshjen e fazës së tretë kundër Erzenit, por tani është shlyer gjithçka. Kukësi ka shpresa të pakta për të qëndruar në Superiore, por derisa matematika ia lejon, të besuarit e trajnerit Bledar Devolli do të luftojnë deri në fund.
Në ndeshjen e sotme me Skënderbeun mungesë e sigurt është mbrojtësi i djathtë, Nikolin Duka, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.
Në të njëjtën kohë, në dyshim është sulmuesi i krahut, Mustafa Salami, i cili u dëmtua në ndeshjen me Tiranën, por për aktivizimin e tij do të vendoset në momentet e fundit.