Talenti i Kombëtares Shpresa, Adrion Pajaziti, po kalon një moment të shkëlqyer në karrierën e tij. 21-vjeçari është shndërruar në një lider te skuadra e 21-vjeçarëve të Fulhamit.
Pajaziti u zgjodh lojtari më i mirë i muajit mars në Premier Ligën 2, ndërkohë që ditën e sotme gjeti sërish rrugën e rrjetës, në triumfin 0:4 që skuadra e tij arriti ndaj CHelseat në gjysmëfinalen e Kupës së Premier Ligës, duke siguruar kështu një “biletë” për në finalen e madhe.
Talenti shqiptar shënoi golin e katërt të sfidës në minutën e 36-të, duke “vulosur” këtë sukses fantastik të skuadrës së tij. Interesant është fakti se katër golat u shënuan në pjesën e parë, ndërkohë që fragmenti i dytë i ndeshjes nuk prodhoi gola.
Fulhami në finalen e Kupës së Premier Ligës, do të përballet me fituesin e çiftit Totenham Hotspur – Notingham Forest muajin e ardhshëm.