Partizani ka dalë triumfues në derbin me Dinamon.
Të kuqtë janë kthyer më në fund te fitorja, duke mposhtur dinamovitët me rezultatin 2-0.
Goli i parë u shënua në minutën e 30 nga Bintsukaja, ndërsa në pjesën e dytë, më saktësisht, në minutën e 70, Albers Keko dyfshoi shifrat.
Me këtë humbje, Dinamoja mbetet jashtë 4-shes, megjithëse ndan të njëjtin numër pikësh me Tiranën.
Ndërkohë, Vllaznia është ndalur në një barazim 0-0 nga Teuta.
Shkodranët kanë hyrë në një krizë rezultatesh në javët e fundit, duke rrezikuar ndjeshëm edhe vendin e dytë në renditje. Partizani është vetëm një pikë larg tyre.
Më poshtë mund të lexoni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Osmani (Vllaznia), tha: “Pas rezultateve të fundit ishim të detyruar që të ndryshonim diçka.
Jam i kënaqur me paraqitjen e këtyre lojtarëve. Ishte një test për ata lojtarë që mendojmë t’i aktivizojmë ditën e mërkurë.
Në pjesën e parë u orientuam më shumë në lojën mbrojtëse. Nuk depërtonim në sulm. Në momentin kur duhet ta bënim, nuk kishim pasimin e duhur. Kjo pikë vlen. Ndoshta për momentin jo aq shumë, por në fund të kampionatit do të vlejë”.