PSG festoi në mesjavë kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League, që erdhi si pasojë e suksesit 1-4 përballë Barcelonës.
Kampionët e Francës do të sfidojnë Borussia Dortmund për një biletë në finalen e madhe të Wembleyt (1 qershor).
Skuadra e Luis Enriques luan sonte në shtëpi kundër Lyonit.
Fitimi i titullit është vetëm çështje kohe, ndërkohë që në Paris duan të fitojnë gjithçka këtë sezon.
PSG ka siguruar edhe kualifikimin në finalen e Kupës së Francës, ku në datën 25 maj do të sfidojë pikërisht Lyonin, rivalët e sotëm në kampionat.
Trajneri spanjoll beson te fitimi i tripletës, duke theksuar se ai dhe djemtë e tij janë gati t’i shkojnë në fund çdo kompeticioni. Teksa premton se do të luftojnë deri në fund për t’u dhuruar tifozëve 3 trofe.
“Po punojmë me seriozitet dhe shumë entuziazëm.
Synimi ynë është i njëjtë: duam të fitojmë kampionatin sa më shpejt. Do të luajmë edhe finalen e Kupës dhe gjysmëfinalet e Championsit.
Detyra ime është të përmirësoj skuadrën dhe të menaxhoj secilin lojtar individualisht. Meritat shkojnë për djemtë, por ata duhet të dëgjojnë gjithmonë fjalët e trajnerit për të mirën e tyre dhe të grupit.
Mendoj se jemi rritur gjatë sezonit, por mund të përmirësohemi ende. Që në ditën e prezantimit tim këtu u fol për dëshirën e madhe për të fituar çdo kompeticion ku marrim pjesë.
Një muaj e gjysmë përpara fundit të sezonit jemi në garë për fitimin e tripletës.
Ky ishte objektivi ynë, dhe ne po arrijmë ta realizojmë. E kemi mundësinë për të fituar gjithçka”, u shpreh Luis Enrique.