Aston Villa koleksionoi fitoren e dytë radhazi në Premier League teksa mposhti 3-1, Bournemouth. Vendasit e panë veten në disavantazh në minutën e 31 pas golit të Solanke, megjithatë ia dolën të rikthenin ekuilibrat në fundin e pjesës së parë kur barazuan me Rogers.
Në fraksionin e dytë, të besuarit e trajnerit Unai Emery e përmbysën takimin duke shënuar dy gola me anë të Diaby dhe Bailey. Pas kësaj fitoreje, Aston Villa ngjitet në kuotën e 66 pikëve dhe mban vendin e katërt ndërsa Bournemouth është në vendin e 13 me 42 pikë.
Në ndeshjen tjetër, derbin e Londrës, Crystal Palace fitoi me rezultatin e thellë 5-2 ndaj West Ham. Lojtarët e Palace e vendosën ndeshjen në shinat e duhura që në pjesën e parë kur realizuan katër gola.
Pas kësaj fitoreje, Crystal Palace mban vendin e 14 me 36 pikë ndërsa West Ham mbetet e teta me 48 pikë.