Ismet Munishi ka bërë thirrje për ndryshim të kritereve, pasi sipas tij, tani është koha e fundit.
Analisti i përhershëm i emisionit “Favorit” mes tjerash foli edhe për problemet të cilat ekzistojnë në futbollin e Kosovës.
“Duhet me pasë një garanci bankare, një stadium ku i luan ndeshjet. Kemi raste që skuadra që inkuadrohet në Superligë, nuk ia dhanë licencën sepse nuk i përmbush kriteret. Te ne nuk ka kritere hiç. Duhet bërë disa kritere, vet-përmbushja e kritereve e bën klubin më serioz”, tha fillimisht trajneri i mirënjohur.
“Veç në Kosovë nuk i paguajnë shtatë muaj lojtarët. Nuk ki as ku të ankohesh. Mua klubet më kanë pasur borxh, e bëj ankesën, në FFK nuk ndërmarrin asnjë hap që të mos prishen me klube. Lojtarin, trajnerin, nuk e mbron askush. Lojtari i huaj ankohet në FIFA, me qenë i vendit duhet me pritë shtatë vjet nëpër Gjykata për mi marrë pagat që i ka me djersë”, shtoi ai.
“Ne e quajmë Superligë, e këndej na del ‘gullash ligë’. Pra, duhet të ketë kritere, e ato të plotësohen. Duhet shtuar nga një kriter për çdo vit edhe pas pesë viteve ti e ke super-profesioniste skuadrën. Është koha e fundit, nëse pretendojmë të bëjmë klube, atëherë duhet të veprojmë në këtë formë”, deklaroi Munishi në “Favorit”.