Arne Slot është kandidati kryesor për të zëvendësuar Jurgen Klopp në pankinën e Liverpoolit. Gjermani do të largohet nga “Anfield” dhe drejtuesit e The Reds kanë piketuar holandezin si pasuesin e tij.
Vetë Slot u shpreh se shpreson që Liverpooli dhe Feyenoordi – skuadër të cilën e drejton prej verës së vitit 2021, të arrijnë sa më shpejt marrëveshjen.
“Dëshira ime është të drejtoj Liverpoolin, nuk është sekret”, deklaroi 45-vjeçari, emërimi i të cilit në krye të skuadrës angleze në fundin e sezonit miratohet edhe nga kapiteni Virgil Van Dijk.
“Për momentin, Arne është një nga trajnerët holandezë më të mirë. Filozofia dhe stili i tij i lojës e bëjnë të përshtatshëm për Liverpoolin”, u shpreh qendërmbrojtësi i Liverpoolit.
Skuadra e Jurgen Klopp ka rënë shumë në javët e fundit. Duke u eliminuar nga Atalanta në Europa League dhe duke humbur kreun e Premier League.
Gjermani shpresonte t’u dhuronte tifozëve titullin e 20-të në histori, por humbja në derbin me Evertonin ishte e rëndë. Dhe gara pritet të vijojë mes Manchester Cityt dhe Arsenalit.