Festë e kuqe në “Air Albania”. Duhej një hero senegalez si Maguette, që Partizani të triumfonte 2-1 në derbin e katërt sezonal të kryeqytetit, duke lënë jashtë “Final4”, të paktën për momentin, një rivale historike si Tirana.
Numri 14 i të kuqe hapi dhe mbylli rezultatin e një përballjeje të zjarrtë dhe emocionuese, ku pati nga gjashtë kartonë të verdhe e nga dy të kuq për secilën skuadër, me Partizani e për atë që ofroi në fushë, sidomos në pjesën e dytë, e meritoi fitoren.
Derbi nisi (9’) me një pretendim për 11-metërsh nga Rrapaj, por Hamitaj e konsideron të rregullt ndërhyrjen e Micit.
Në të 13-tën ka një penallti në lëvizje për Rimal Haxhiun, por topi shkon mbi tra.
Ndizet festa e të kuqve në “Air Albania” pas vetëm çerek ore lojë. Derbi zhbllokohet me një gol fantastik i Maguette nga distanca, i ndihmuar edhe nga një devijim i topit.
Pak minuta më vonë, Cara shfaq probleme fizike dhe lë lojën për t’i bërë vend në fushë Kekos.
Fati është me Partizanin në të 27-tën minutë, Kristal Abazaj trondit traversën, topi përplaset në trupin e Pano Qirkos dhe shkon ngjitur me shtyllën.
41’ – Gooooool! Shpërblehet me gol këmbëngulja e Tiranën, Abazaj shtyn me kokë topin drejt rrjetës pas tentativës së Jonuzit, të kthyer nga Qirko, 1-1.
Pas golit të bardhebluve, ndeshja bëhet më e bukur. 39’ Partizani kap në kundërsulm Tiranën, me Rrapajn që godet fort nga distanca, topi i kthyer nga Kozi shkon te Keko, që në një pozicion të volitshëm godet keq.
Moment për Var në minutën e fundit të pjesës së parë. Hamitaj nxjerr fillimisht kartonin e kuq për Hoxhallarin, për ndërhyrje të ashpër ndaj Kekos, por pas verifikimit të pamjeve në sistemin VAR, anulon kartonin dhe goditjen e lirë për Partizanin.
Pjesa e dytë nis me një moment tensioni mes sulmuesit Patrick dhe Muratajt të Partizanit, që ndëshkohen të dy me të verdhë.
Probleme fizike për Kozin (62’), që kërkon ndihmën e stafit mjekësor. Dy minuta më vonë (64’) Skuka dhe Keko kanë mundësinë për të shënuar, por ndërhyn mbrojtja bardheblu dhe portieri Kozi.
Kombinim i bukur Skuka-Bitsuka në të 74-tën, topi i devijuar nga Hoxhallari shkon në fundore.
Skuka gabon në kontrollin e topit në të 82-tën pas asistit të Hadrojit, humb një mundësi të shkëlqyer për të shënuar.
Hadroj shkakton faull ndaj Latifiit në limitet e zonës në të 84-tën, me të drejtë kartoni i verdhë dhënë nga Hamitaj.
Tri minuta para fundit të kohës së rregullt, Jonuzi merr karton e dytë të verdhë për ndërhyrjen ndaj Maguette, Tirana mbetet me 10 lojtarë.
Në superioritet numerik, Partizani ka forcën dhe qetësinë e duhur për të shkuar sërish te goli. I pabesueshëm Maguette më minutën e tretë shtesë, shënon golin e dytë personal dhe të fitores për Partizanin. Kartoni i dytë i verdhë i Hadrojit, në sekondat e fundit nuk ndryshoi asgjë, Partizani konfirmon dominim ndaj Tiranës në këtë sezon me tri fitore dhe një barazim, ndërsa seria pa fitore për bardheblutë në derbi shkon në shtatë ndeshje.