Dramë në Munih, nuk ka fitues! Vinicius shënoi dy gola

Përballja e gjigantëve, Bayern Munih – Real Madrid, ka përfunduar baras (2:2), në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Champions League në futboll.
Atmosferë drithëruese në “Allianz – Arena” në Munih, mbi 75 mijë shikues, panë lojë të hapur dhe gjithsej 4 gola.
Bayerni - Reali 2:2
Stadiumi "Allian Arena" në Munih.
Shikues: 75.000.
C. Turpin (Franca).
Shënues: Sane (53') e Kane (57' - nga penalltia) - Vinicius Junior (24' e 83' nga penalltia).
Kartona të verdhë: Mazraoui, Kim Min-Jae - Kroos, Lucas.
Bayerni: Neuer, Kimmich, M.-J. Kim, Dier, Mazraoui, Laimer, Goretzka, L. Sane )Davies 87'), Muller (Gnabry 80'), Musiala dhe Kane.
Real Madrid: Lunin, Vazquez, Rudiger, Nacho (Camavinga 65'), Mendy, Tchouameni, Kroos (Diaz 76'), Fede Valverde, Bellingham (Modriç 76'), Rodrygo (Joselu 87') dhe Vinicius Junior.
Ndeshje me kthesa në rezultat, ndërsa një Bayern që shkëlqeu por që nuk e fitoi sfidën ndaj madrilenëve.
Në minutën e parë, Leroy Sane pati rast ideal por nuk e mposhti portierin e Realit.
Mbrojtja e Bayernit sikur në gjumë, Toni Kroos e gjen për mrekulli Vinicius Junior dhe ky me gjakftohtësi e mposhti portierin e Bayernit, 0:1 në minutën e 24-të.
Harry Kane në minutën e 42-të nga goditja e lirë rreth 20-21 metra, i pafat, goditja e tij për disa centimetra shkoi jashtë shtyllës së djathtë.
Në minutën e 51-të, Kroos goditi bukur por portieri i Bayernit, Neuer, e shpëton portën e tij.
Pjesa e dytë dhe shpërthimi i Bayernit, duke përmbysur rezultatin e rivalit.
Në minutën e 53-të, Sane barazoi rezultatin 1:1. Leroy Sane depërtoi bukur në 16-sh e me goditje të fortë e mposhti portierin e Realit.
Në minutën e 56-të, Lucas Vazquez shkaktoi penallti. Harry Kane shënoi nga penalltia, 2:1 në minutën e 57-të.
Fat për Realin në minutën e 66-të. Harry Kane goditi nga afërsia dhe topi devijohet nga Rudiger, duke shpëtuar gol të sigurt.
Në minutën e 79-të, Vinicius Junior nga afërsia e nga këndi i vështirë goditi por Neuer e dëbon topin në korne.
Në minutën e 82-të, Kim Min-Jae e ndali Rodrygon dhe gjyqtari francez Turpin gjykoi penallti.
Vinicius Junior (83’) i pagabueshëm nga penalltia, 2:2.
Ndeshja e kthimit do të luhet në “Santiago Bernabeu” në Madrid, ku pritet ndeshje e zjarrtë në luftë për të prekur finalen e madhe.