Janë luajtur sot ndeshjet e para gjysmëfinale të “Final 4” në kampionatin “Abissnet Superiore” për vajza.
Vllaznia triumfoi në “Arenën e Demave” ndaj Partizanit me rezultatin e thellë 0:3.
Vajzat kuqeblu dominuan takimin, teksa zhbllokuan rezultatin që në minutën e 10-të. Në fraksionin e dytë, shkodranet shënuan edhe dy gola të tjerë për të vulosur suksesin me tris.
Pas kësaj fitoreje, Vllaznia hedh një hap të sigurt drejt finales së sezonit 2023/2024.
Tirana-Apolonia, që u zhvillua në kompleksin “Skënder Halili”, përfundoi në barazim 1-1. Vajzat bardheblu gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 12-të të takimit, por skuadra fierake barazoi rezultatin në fillimin e fraksionit të dytë.
Deri në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe takimi u mbyll në barazim. Më datë 7 maj do të luhen edhe takimet e dyta gjysmëfinale.
Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni, do të luhet në datën 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”..