Faza e sulmit është një prej reparteve që Barcelona synon ta përforcojë gjatë afatit kalimtar të verës.
Ditët e fundit, Barça ka qenë e lidhur fort me Dani Olmon e Leipzig, i cili thuhet se është shumë i hapur për t’u ribashkuar me gjigantët katalanas.
Megjithatë, të paktën tani për tani, ai nuk është një prioritet. Sipas “Sport”, Nico Williams është objektivi kryesor i klubit për të përforcuar pozicionin e krahut të majtë të sulmit.
Williams po kalon një sezon tjetër të shkëlqyer me Athletic Bilbao. Ai besohet se do të kushtonte 50 milionë euro, pasi kjo është kostoja e klauzolës së lirimit në kontratën e tij.
Nuk ka dyshim se Williams do të ishte një nënshkrim i bujshëm për Barcelonën dhe në moshën 21-vjeçare, ai do të ishte opsioni ideal për një periudhë afatgjate.
Gjithçka që mbetet për të parë është nëse një marrëveshje mund të arrihet në verë, pasi do të jetë e ndërlikuar për shkak të vështirësive financiare të vazhdueshme te Barcelona.